
views
Ekspertët e teknologjisë kritikojnë Ulf Kristersson, ndërsa mediat e akuzojnë për rënie pre e "psikozës së AI të oligarkëve"
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, është përballur me një valë kritikash pasi pranoi publikisht se përdor rregullisht mjete inteligjence artificiale si burim të dytë këshillimi në marrjen e vendimeve shtetërore.
Në një intervistë për gazetën e biznesit Dagens Industri, Kristersson deklaroi se përdor mjete si ChatGPT dhe platforma franceze LeChat për të analizuar qasje të ndryshme ndaj çështjeve. Ai shtoi se edhe kolegët e tij në qeveri përdorin AI në punën e përditshme.
"E përdor shpesh vetë. Edhe vetëm për një opinion të dytë. Çfarë kanë bërë të tjerët? A duhet të mendojmë të kundërtën? Pyetje të tilla," – tha ai.
Megjithatë, kjo qasje ka ngjallur shqetësime të thella mes ekspertëve të teknologjisë dhe komunitetit akademik. Gazeta Aftonbladet publikoi një editorial ku e akuzon kryeministrin për "rënien pre e psikozës së AI të oligarkëve".
Simone Fischer-Hübner, pedagoge e shkencës kompjuterike në Universitetin e Karlstad, paralajmëroi në Aftonbladet për rrezikun që paraqet përdorimi i AI për informacion të ndjeshëm:
“Duhet treguar shumë kujdes, sidomos me platforma si ChatGPT.”
Zëdhënësi i Kryeministrit, Tom Samuelsson, u përpoq të zbusë shqetësimet duke deklaruar se Kristersson nuk përdor AI për çështje me ndjeshmëri sigurie.
“Nuk bëhet fjalë për informacion të ndjeshëm. Përdorimi është më shumë për orientim të përgjithshëm,” – tha ai.
Por ekspertët nuk janë bindur. Virginia Dignum, profesore e inteligjencës artificiale të përgjegjshme në Universitetin e Umeå-s, theksoi se AI nuk është e aftë të ofrojë opinione domethënëse për ide politike, pasi reflekton vetëm pikëpamjet e atyre që e kanë ndërtuar.
“Sa më shumë të mbështetet te AI për çështje të thjeshta, aq më e madhe bëhet rreziku i një mbështetjeje të verbër. Është një rrugë e rrëshqitshme,” – deklaroi ajo për Dagens Nyheter.
“Ne duhet të kërkojmë garanci për besueshmërinë. Ne nuk kemi votuar për ChatGPT.”
Comments
0 comment